U ndanë çmimet gazetareske për raportimin mbi varfërinë

Agjencitë e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT) dhe Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK) ndanë të premten, më 21 tetor 2011, çmimet gazetareske për raportimin mbi varfërinë. Për fotografinë më të mirë që portretizon varfërinë u shpërblye fotoreporteri Driton Paçarada nga Koha Ditore, për ciklin e tij të fotografive “Jeta në kamp”.

Për artikullin më të mirë mbi përjashtimin nga arsimimi, çmimin e mori Bukurije Bajraliu nga Koha Ditore (“Shkollimi mbetet ëndërr e papërmbushur”), kurse për storien më të mirë televizive mbi përjashtimin nga shërbimet shëndetësore u shpërblye Diana Basholli nga Klan Kosova për storien “Vllahi – Behrami”. Çmimi për storien më të mirë të shkruar mbi përjashtimin nga mjetet ekonomike u nda ndërmjet gazetarëve Nexhmije Ahmeti nga Gazeta Express dhe Fisnik Minci nga Koha Ditore (“Kolonia e turpit”, respektivisht “Komuniteti që bashkëjeton me mbeturinat”), ndërkaq për storien më të mirë në radio çmimi iu dha Ermal Pandurit nga Radio Dukagjini për storien “Të jesh i varfër”. Për herë të parë u nda edhe çmimi special për storien më të mirë të mediave sociale mbi popullsinë, të cilin e fitoi Fatmir Haxholli për “Bota në 7 miliardë”, të publikuar në www.kosovatimes.net.

“Kjo ngjarje nderon gazetarët. Ata të cilët parreshtur na tregojnë për sfidat me të cilat ballafaqohen qytetarët, zanafillën e problemeve dhe shpesh, mënyrat se si t’i zgjidhim këto probleme. Kjo ngjarje nderon punën e palodhshme të gazetarëve për të qenë ndërgjegja e politikës dhe artikuluesit e zërit të qytetarëve”, tha Selim Selimi nga UNDP.

Ndërkaq, drejtori ekzekutiv i AGPK-së, Imer Mushkolaj, inkurajoi gazetarët që të vazhdojnë të konkurrojnë në garat për çmime gazetareske edhe në të ardhmen.

Në ceremoninë e organizuar në Teatrin Kombëtar të Kosovës folën edhe Osnat Lubrani, kryesuese e Agjencive të Kombeve të Bashkuara për Kosovë dhe deputeti Sadri Ferati.

Paneli për vlerësimin e storieve konkurruese përbëhej nga Selim Selimi, kryetar dhe anëtarët Shukrije Gashi, drejtoreshë e Qendrës për Menaxhimin e Konflikteve, përfaqësuese e shoqërisë civile, Flora Kryeziu, përfaqësuese e UNICEF-it, Visare Mujko-Nimani, përfaqësuese e UNFPA-së dhe Zoran Ristic, regjisor dhe Kampion i Qëllimeve të Mileniumit, anëtar i pavarur. Vëzhgues të jurisë ishin Nora Sahatciu, specialiste koordinimi në UNDP dhe Imer Mushkolaj, gazetar dhe drejtor ekzekutiv i AGPK-së.

Çmimet gazetareske për raportimin mbi varfërinë u ndanë sivjet për herë të gjashtë dhe aktiviteti është një mundësi e mirë që të njihet publikisht kontributi i gazetarëve, të cilët nëpërmjet storieve të tyre trajtojnë varfërinë.

    prapa